Rreth 700 të vdekur, tërmeti 8-ballësh rrafshon Nepalin

25/04/2015 00:00

Një tërmet i fuqishëm prej 7.9 ballë ka tronditur këtë të shtunë Nepalin, duke u marrë jetën rreth 700 personave, me bilancin që ka gjasa të rritet.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në një zonë 77 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit Katmandu. Në zonën në fjalë, pallate të shumta janë rrafshuar duke zënë poshtë banorët.

Një ministër nepalez ka deklaruar se dëmet e shkaktuara janë masive dhe situata më emergjente se kurrë, ndaj dhe ka kërkuar ndihmë nga agjencitë ndërkombëtare.

“Na duhet mbështetje nga agjencitë e ndryshme ndërkombëtare, që kanë aftësitë dhe pajisjet e duhura për t’u përballur me këtë lloj emergjence”, tha ministri i Informacionit, Minendra Rijal.

Tërmeti i fuqishëm shkatërroi edhe kullën Dharahara në Katmandu, ku banorët dolën nëpër rrugë, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin kryesor. Rrjetet e telefonisë së lëvizshme kanë dalë nga funksioni.

“Ishte e tmerrshme. Toka lëvizte e gjitha. Po pres për trajtim këtu në spital, por pjesëtarët e stafit janë të mbytur nga puna. Këtu është plot me të plagosur”, ka qenë dëshmia e një banoreje.

Ndërkohë, lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Nju Delhi dhe qytete të tjera në veri të Indisë, si dhe në Pakistan, ku janë regjistruar viktima, por ende nuk dihet me saktësi se sa.

Kryeministri indian Narendra Modi ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij për të diskutuar mbi situatën, ndërsa ai pakistanez Nawaz Sharif ka bërë thirrje për ndihmë në mbështetje të autoriteteve nepaleze.

Top Channel