Policia shqiptare me uniformë të re; Tahiri: Raport i ri me qytetarët

25/04/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi të shtunën hapjen e konkursit ndërkombëtar për ndryshimin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Gjatë një ekspozite të çelur për këtë qëllim, ministri Tahiri u shpreh se me ndryshimin e fytyrës së policisë synohet që qytetarët ta shohin policin jo vetëm si një mik, por edhe si një shërbëtor.

“Në përmbyllje të 20 e kusur viteve tranzicion, ne besojmë se ka ardhur momenti që me qytetarët të ndërtojmë një konkurs kombëtar e ndërkombëtar, transparent, ku të gjithë mund të kontribuojnë për modelin e uniformës së re të Policisë së Shtetit. Konkursi do të zgjasë ca kohë, kërkon energji, bashkëpunim e pjesëmarrje nga të gjithë, por unë jam i sigurt se në fund do t’i japë një zgjidhje definitive standardizimit të uniformës së policisë dhe ndryshimit të fytyrës së punonjësit të policisë, jo vetëm nga pamja formale por nga perceptimi i policisë”, deklaroi Tahiri.

Gjatë ekspozitës “Policia ndër vite”, ministri i Brendshëm tha se po tentohet rritja e bashkëpunimit qytetar-polici për të garantuar një vend më të sigurtë.

Top Channel