Mbështetja e bujqësisë, Meta e Panariti: Grante për fermerët

25/04/2015 00:00

Pas një eksperimenti me mbjelljen e luleshtrydhes në Krutje të Lushnjës duket se investimi, dhe po kështu mbështetja me grante, ia ka vlejtur.

Në një parcelë prej 5 hektarësh kemi një produkt që kërkohet nga tregu europian, thotë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai e konsideron arritje kërkesën e tregut të huaj për produket shqiptare.

“Brenda këtij viti do të kemi 50 hektarë nga 5 hektarë që shikoni këtu, do të kemi një shumëfishim të prodhimit. Aktualisht, sipërmarrja punëson 40 vetë. Në fund të këtij viti numri i të punësuarve do të shkojë në 100 vetë. Janë 1.5 milionë euro të investuara deri më tani, por në dy vitet e ardhshme, masa e financimit do të arrijë në 3 milionë euro më tepër. Ambicia është e madhe dhe në krye të dy viteve do të jenë rreth 200 hektarë me këtë teknologji të lartë, ku prodhohet një luleshtrydhe cilësore e që konkuron denjësisht në të gjitha tregjet europiane”, deklaroi ministri i Bujqësisë.

Pas dy vitesh, pra në fund të investimit, thotë Panariti, nga kjo sipërmarrje eksporti do të arrijë vlerën në 10 milionë euro dhe se do të punësohen 2000 fermerë, duke ndikuar kështu në rritjen e të ardhurave në familjet e tyre.

Kreu i Parlamentit  Ilir Meta tha se bujqësia tanimë po rilind në të gjithë zonën e Myzeqesë, por duhen mbështetur me grante edhe zonat kodrinore për produktet që mund të kultivohen atje, si Kukësi për pataten, Elbasani, Korça,  Berati e të tjera.

“Duhet t’u kushtojmë vëmendje edhe zonave më të pafavorizuara që ndodhen më në thellësi të vendit, larg tregjeve kryesore, pasi është e vërtetë që atje nuk mund të mbillen luleshtrydhe, por ne e dimë se sa kërkohen gështenjat tona jashtë vendit dhe është e vështirë të gjesh gështenja të vendit në Shqipëri, pasi mundësitë dhe resurset janë të panumërta. Të gjitha ato aktivitete që janë të bazuara në mbjelljen e atyre kulturave që kërkohen nga tregjet e huaja, ecin me një sukses të jashtëzakonshëm, qoftë në Korçë apo në Dibër”, u shpreh Meta.

Fermerët e këtyre zonave do të mbështeten me një gran prej 6.1 milionë eurosh për të kultivuar këto kultura të kërkuara nga tregjet e huaja.

Top Channel