PD zyrtarizon 3 kandidatura të tjera

25/04/2015 00:00

Partia Demokratike ka zyrtarizuar këtë të shtunë Veip Çelën si kandidat për Bashkinë e Tepelenës në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Lajmin e bëjnë të ditur burime nga selia blu, sipas të cilave, lidershipi i partisë më të madhe të opozitës ka zyrtarizuar edhe dy kandidatura të tjera.

Bëhet fjalë për Viktor Duron për Kolonjën dhe Ëngjëll Carën për Kavajën, saktësojnë më tej burimet. Një ditë më parë, PD prezantoi Darien Xhindolin si kandidat për Bashkinë e Lushnjes.

Prezantimi u bë nga deputeti Florion Mima përpara strukturave të partisë së këtij qarku. “Vota e 21 Qershorit është votë kundër dyshes Rama-Meta, e cila po e çon vendin në humnerë”, theksoi deputeti Mima.

Ai tha se, sekuestrimi i banesës së personave që nuk paguajnë energjinë elektrike, tashmë i ligjëruar nga ky koalicion, është ligj i turpshëm, i cili nuk njihet në asnjë vend të Europës.

Ndërsa vetë Darien Xhindoli u shpreh se, Lushnja ka nevojë për njerëz që dinë të administrojnë dhe kërkoi votën më 21 Qershor të çdo individi, pavarësisht bindjeve politike.

Top Channel