Korçë, prokuroria dërgon për gjykim ish-zv.drejtorin e policisë

25/04/2015 00:00

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim
Arben Hysenin, ish-zv.drejtor i policisë në këtë qark, si edhe efektivin
e policisë, Robert Memelli.

Hyseni dhe Memelli, sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, akuzohen për veprën penale të ‘kryerjes së veprimeve arbitrare’, në dëm të shtetasit Tomi Misha. Po ashtu, edhe Misha është marrë i pandehur për veprën penale të ‘drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt’ dhe ‘mosbindje ndaj urdhrit të policisë’. Ndërkaq, edhe vëllai i tij, Ernest Misha, akuzohet për ‘kundërshtim të forcave të rendit publik’.

Ngjarja për të cilën janë marrë të pandehur ish-zv.drejtori dhe efektivi i policisë së Korçës ka ndodhur më 20 shkurt të këtij viti, kur Tomi Misha ka goditur me automjetin e tij makinën në të cilën ndodhej Hyseni.

Pas goditjes së mjeteve, efektivi i policisë, Memelli, në prani të zv.drejtorit Hyseni, ka goditur Mishën. Vëllai i këtij të fundit, në përpjekje për ta ndihmuar, ka goditur policin Memelli dhe më pas është larguar.

“Shtetasi Tomi Misha, i cili pas analizave, ka rezultuar se ka konsumuar alkool mbi normën e lejuar për drejtim automjeti, është shoqëruar pas incidentit në komisariatin e Policisë, ku janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se aty është goditur nga shtetasi Arben Hyseni, i cili, për shkak të funksionit të tij, ka pasur lehtësi të hyjë në ambjentet e komisariatit të Policisë së Korçës”, shtuan burimet zyrtare.

 

Top Channel