Ndihma sociale, PD akuzon Veliajn. PS: PD në hall për Tiranën

25/04/2015 00:00

Opozita akuzoi Ministrin e Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj si përgjegjës për thellimin e varfëfrisë për shumë familje si pasojë e heqjes se ndihmes ekonomike.

“Është nevoja për të zbritur nga bota në qiej e propagandës dhe për të zbritur me këmbë në tokë, për të dëgjuar njerëzit dhe për t’u shërbyer qytetarëve që kanë nevojë më shumë kur janë të varfër, dhe jo për t’i trembur me lloj-lloj politikash propagandistike, reforma që nuk kuptohen, reforma të keqadministruara, apo akoma më keq nuk transmetohen siç duhen tek këto familje në nevojë”- tha Akil Kraja, koordinator kombëtar i PD-së. 

Por Partia Socialiste reagoi përmes deputetes Olta Xhaçka duke thënë se opozita është në hall për Tiranën pasi kandidati Halim Kosova nuk mund të premtojë asgjë, sepse pas çdo premtimi të tij është dështimi i punës së kryetarit Lulzim Basha.

“E kuptojmë hallin e Partisë Demokratike dhe të kandidatit Halim Kosova në këtë fushatë. As PD e as Halim Kosova nuk flasin dot për Tiranën! Nuk premtojnë dot asgjë për qytetarët pasi çdo premtim i tyre llogaritet si dështim i Lulzim Bashës. Prandaj, e vetmja zgjidhje që kanë është të shpifin përditë për Erion Veliaj dhe punën e tij të shkëlqyer në Ministrinë e Mirëqënies Sociale. Akuza e sotme, është e turpshme. Qeveria e Sali Berishës, ku Halim Kosova ishte ministër, nuk ofronte ndihme ekonomike, por qoka politike. Qoka për ata që votonin Lulin dhe Saliun, për kryetare PD-je me biznese e dyqane, por jo ndihmë për ata në nevojë. Në më pak se dy vite, ministri Veliaj zhduku abuzimin me ndihmën ekonomike për militantët politike dhe shtoi paratë në mbështetje të atyre që kishin realisht nevojë. Nga 3500 lekë që merrte mesatarisht një familje me ndihmë ekonomike në Tiranë në kohën kur Halim Kosova ishte ministër i Sali Berishës, sot një familje në nevojë merr mesatarisht 5300 lek në muaj, ose më thjesht 51% më shumë”, deklaroi deputetja socialiste.

Top Channel