Mustafa Nano ka realizuar “Much Nano Show”, një ‘stand up comedy’, që vjen pas jehonës së librit të tij, ‘Pax Albanica’.

“Këtu e kam marrë frymëzimin për të bërë këtë spektakël ku thuhen gjëra që nuk thuhen në libër. E kam bërë me qejf. Tekstin kam vënë re që njerëzit e kanë pëlqyer, e dija edhe vetë që ishte tekst i mirë. Problemi është se kisha një lloj mosbesimi tek aftësitë e mia aktoriale, por me ç’pashë ia dola edhe në këtë plan. Është një lloj qesëndisje e lehtë që u bëj doktrinave fetare. Një qesëndisje e lehtë, një lloj diskutimi kulturor që nuk fyen, nuk ofendon asnjë besimtar. Është një vështrim kritik që u bëhet doktrinave fetare dhe nuk është se jam unë i vetmi në botë që e bëj. E bëjnë shumë intelektualë. Nga mënyra sesi është reaguar nuk u lëndua asnjë njeri dhe ky është një lajm i bukur”, thotë analisti Mustafa Nano.

Siç u shpreh vetë Nano, është bërë një bashkëpunim i shkurtër, por intens me regjisorin Altin Basha për realizimin e ‘Much Nano Show’, spektakël që mesa duket do të ringjitet në skenë.

“Këtë do ta përsëris disa herë, në Tiranë dhe jashtë Tiranës, por kam frikë që i jam futur një rruge tjetër. Pak punë kisha unë?! Më duket se i jam futur një aventure të lezetshme. Nuk e di! Të shohim!”- rrëfen Nano.

Top Channel