Kosova: Sporti, kura më e mirë. Rama ka pasur vlerësim të mirë për mua

25/04/2015 00:00

Me disa sportistë të rinj të Tiranës, Halim Kosova ndau shqetësimin se në qytet nuk ka terrene të mjaftueshme sportive dhe beson se veprimi më i mirë është përfshirja masive e rinisë në aktivitet sportive për të gëzuar një shëndet sa më të mirë.

“Më mirë të harxhojmë 5 lekë sot tek sporti më shumë dhe të pakësojmë 50 lekë nesër për sëmundjet”, thotë kandidati i demokratëve.

Halim Kosova nuk është përfshirë deri tani politikisht në debate, por i pyetur nga gazetarët sesi e ka pritur cilësimin e kryeministritt Rama se Partia Demokratike kishte caktuar një kandidat të lodhur, doktor Kosova nuk doli nga vetja.

“Për zotin Rama gjej rastin, meqënëse po më pyesni, të shpreh konsideratë që ai gjithmonë e ka vlerësuar punën time”, u përgjigj ai.

Kur tha këtë, zoti Kosova kishte parasysh edhe çmimin si personalitet i vitit 2007, i dhënë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës në atë kohë, Edi Rama.

“I habitur të mos gjeja askund, asnjë njeri që të më thoshte një fjalë të keqe. Megjithëse nuk bëj pjesë tek ata që nuk thonë asnjë fjalë të keqe, unë për arsye të shërbimeve në familje, dëshiroj t’i doktor Halimit të gjithë respektin dhe konsideratën time dhe të atyre që në Bashkinë e Tiranës kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejtë me të”, deklaronte asokohe Edi Rama.

Pavarësisht ndryshimit të konsideratës nga posti i kryeministrit 8 vjet më vonë, kandidati demokrat bën një premtim publik.

“Me marrjen e bashkisë do t’i shtrij dorën çdo njeriu me të cilin unë do të kem mundësi që unë t’u ofroj qytetarëve atë që dëshirojnë nga bashkia e ardhshme. Nuk kam asnjë lloj kompleksi dhe këtë do ta shihni dhe ndiqni në çdo hap”, shprehet Kosova.

Për kandidatin e Partisë Demkratike, i cili është takuar edhe me të rinj të Tiranës, e rëndësishme është që të gjithë të punojnë për të ndalur braktisjen e vendit duke rikthyer besimin dhe shpresën tek qytetarët.

Top Channel