Takim me Frrokun? Braho: Në spital isha për arsye shëndetësore. Lajmi, i rremë

25/04/2015 00:00

Deputeti Spartak Braho ka përgënjeshtruar lajmin ku pretendohej se ishte takuar me deputetin Mark Frroku.

Në një deklaratë për mediat, Braho thotë se ka qenë krejtësisht për arsye shëndetësore në të njëjtin spital ku më vonë mësoi se ndodhej i shtruar deputeti Frroku, ndaj të cilit Gjykata e Lartë ka vendosur masën e  sigurisë ‘arrest me burg’.

“Jam i befasuar dhe kam ndjerë keqardhje. Nuk e di për llogari të kujt u shpërndanë këto pamje filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e spitalit”, thotë Braho.

Pikërisht këto pamje u komentuan nga mediat si vizitë e dyshimtë e Brahos në spitalin ku ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku.

“Prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar, e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marrë vesh vetëm kur dola nga ambientet e tij, dhe për çudinë time pashë që disa kamera po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi im më tha se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku”, shton në deklaratë deputeti i LSI-së.

Më herët, kryetari i Kuvendit, njëherazi edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, përmes shefit të kabinetit të tij i ka kërkuar Brahos të sqarojë publikisht opinionin për të vërtetën.

Meta i ka kërkuar edhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla që të verifikojnë e të hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur.

“Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, Kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të  sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave”- thuhej në deklaratën e shpërndarë nga shefi i kabintetit të Metës.

Deputeti Mark Frroku, ndaj të cilit Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” pas kërkesës së Prokurorisë si i dyshuar autor i një vrasjeje të ndodhur në Belgjikë ndodhet në të njëjtin spital nga ku u filmua duke dalë Spartak Braho për të marrë mjekime pas shqetësimeve shëndetësore me zemrën.

Ndaj deputetit të Qarkut të Shkodrës Gjykata e Lartë vendosi në fillim të muajit prill masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për llogari të drejtësisë belge, ku dyshohet si autor i një vrasjeje të kryer në vitin 1999.

Pas dhënies së vendimit, avokatët mbrojtës u shprehën për mediat se janë të befasuar nga dhënia e kësaj mase sigurie. “Arrestimi i klientit tonë është i paligjshëm, pasi për të nuk ka asnjë provë”, thanë avokatët mbrojtës.

Në seancë organi i akuzës paraqiti akte me të cilat avokatët mbrojtës të Frrokut nuk ishin njohur më parë.Përveç akuzës për vrasje që bëhet nga drejtësia e shtetit belg, ndaj Frrokut u ngritën dy ditë më parë edhe dy akuza të reja; njëra për pastrim parash dhe tjetra për refuzim të deklarimit të pasurisë.

Top Channel