Tërmeti në Nepal, mbi 1 mijë viktimat. SHBA i përgjigjet thirrjes për ndihmë

25/04/2015 00:00

Ka shkuar në mbi 1 mijë numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Nepalin në orët e para të së shtunës.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në një zonë 77 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit Katmandu. Në zonën në fjalë, pallate të shumta janë rrafshuar duke zënë poshtë banorët.

Një ministër nepalez ka deklaruar se dëmet e shkaktuara janë masive dhe situata më emergjente se kurrë, ndaj dhe ka kërkuar ndihmë nga agjencitë ndërkombëtare.

“Na duhet mbështetje nga agjencitë e ndryshme ndërkombëtare, që kanë aftësitë dhe pajisjet e duhura për t’u përballur me këtë lloj emergjence”, tha ministri i Informacionit, Minendra Rijal.

Thirrjes së autoriteteve nepaleze iu përgjigjën të parat Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni njoftoi dërgimin e menjëhershëm të një ekipi emergjencash dhe një shumë prej 1 milion dollarësh përmes USAID-it për të siguruar nevojat më urgjente.

Edhe Britania e Madhe dhe Franca deklaruan se do të ‘bëjnë gjithçka për të ndihmuar Nepalin’ në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Tërmeti i fuqishëm shkatërroi edhe kullën Dharahara në Katmandu, ku banorët dolën nëpër rrugë, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin kryesor. Rrjetet e telefonisë së lëvizshme kanë dalë nga funksioni.

“Ishte e tmerrshme. Toka lëvizte e gjitha. Po pres për trajtim këtu në spital, por pjesëtarët e stafit janë të mbytur nga puna. Këtu është plot me të plagosur”, ka qenë dëshmia e një banoreje.

Ndërkohë, lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Nju Delhi dhe qytete të tjera në veri të Indisë, si dhe në Pakistan, Tibet e Bangladhesh ku janë regjistruar edhe viktima, por ende nuk dihet me saktësi se sa.

Kryeministri indian Narendra Modi ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij për të diskutuar mbi situatën, ndërsa ai pakistanez Naëaz Sharif ka bërë thirrje për ndihmë në mbështetje të autoriteteve nepaleze.

Top Channel