LSDM publikon të tjera përgjime. Jankullovska fyen shqiptarët: Të egër! Indianë!

25/04/2015 00:00

Partia opozitare LSDM ka publikuar një bisedë tjetër telefonike me përmbajtje skandaloze, ku sipas kësaj partie dëgjohet ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska duke ofenduar rëndë shqiptarët dhe funksionarët e BDI-së.

Në këtë bisedë, Jankullovska dëgjohet duke i quajtur ‘fis i egër’ dhe ‘indianë’ zyrtarët shqiptarë në qeveri teksa shpreh nervozizmin e saj nga komunikimi me zv/kryeministrin Musa Xhaferi lidhur me zbatimin e një marrëveshjeje.

Biseda mes ministres se brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit te sherbimit sekret, Sasho Mijallkov:

Zeri 1: Alo
Zëri 2: Gorde, çfarë bën?
Zëri 1: Mirë, ja po punoj. Ti çfarë bën?
Zëri 2: Ça janë këto probleme që në mëngjes?
Zëri 1: I zgjodhëm më në fund. Indianë. Ça të them tjetër. Indianë.
Zëri 2: Më kërkojnë që në mëngjes.
Zëri 1: Po, për këtë të kanë kërkuar, por të dish, mbrëmë më kërkoi Musa. Unë i thash. Musa, sipas ligjit, për punë të tillë patjetër duhet të ketë konkluzë ose vendim të Qeverisë. Në këtë rast konkret duhet konkluzion. Dhe për këtë i thash se ja serbët vijnë në Zebërnjak dhe ka pasur konkluzë nga Qeveria. Bullgarët tranzit kalojnë për në Tiranë…
Zëri 2: Dhe,  ça të humbin nëse kanë kujdes me procedurën ?
Zëri 1:  Po fis i egër Sasho.

Në një konference per media LDSM-ja opozitare ka prezantuar edhe disa materiale tjera, që sipas kësaj partie zbulojnë pazaret midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-në për mbështetje të ndërsjellët në disa komuna gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Sipas opozitës, kryetari aktual i komunës së Gostivarit Nevzad Bejta dhe kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, kanë fituar në zgjedhje me ndihmën e partisë maqedonase VMRO-DPMNE, pasi nuk kanë gëzuar mbështetjen e duhur për fitore tek elektorati shqiptar.

Nga ana tjetër, BDI-ja e Ali Ahmetit ka mbështetur për kandidatët maqedonas të VMRO-së në Kumanovë dhe disa komuna tjera.

Biseda e zv/kryeministrit Fatmir Besimi me një bashkëpunëtor:

Zëri 1: Në Kumanovë më duket LSDM-ja ka fituar.
Zëri 2: Nuk është e drejtë
Zëri 1: Pse?
Zëri 2: Kemi dalë tradhtarë.
Zëri 1: Jo! Ata kanë kërkuar 1500 vota ne i kemi dhënë 2000.
Zëri 2: Ashtu ?
Zëri 1: Nuk jemi turpëruar, ata nuk i kanë bërë kalkulimet mirë.
Zëri 2: Ok, sepse ata na kanë ndihmuar neve në Tetovë dhe Gostivar.
Zëri 1: Po, sidomos në Gostivar.

LSDM-ja opozitare prezantoi edhe disa biseda të përgjuara, që sipas saj dëshmojnë se kryeministri Nikolla Gruevski projekt/ligjin për avancimin e statusit të pjesëtarëve të forcave të sigurisë maqedonase e ka përdorur për të mashtruar elektoratin e vet dhe për të kushtëzuar BDI-në.

Top Channel