PD prezanton kandidatin në Roskovec. Basha: Votë kundër ‘sheikëve’

25/04/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi kandidatin për Bashkinë e Roskovecit. Ai është Gëzim Çaushi.

Në Roskovec, Basha tha se në 21 Qershor vota e shqiptarëve do të jetë kundër pushtetarëve që jetojnë në luks sheikësh, ndërsa populli nuk siguron dot bukën e përditëshme.

“A do të jetë kjo dita e poshtërimit të dytë të burrave dhe grave të Roskovecit, të fëmijëve të Roskovecit, të të ardhmes së Roskovecit?! Apo do të jetë dita e ngritjes me krenari të kokës tuaj? E kërkimit me votën tuaj, e vënies me votën tuaj para përgjegjësisë së dështimeve dhe mashtrimeve atyre që dy vjet më parë ju premtuan parajsën dhe pastaj u zhdukën pa lënë gjurmë duke e nisur me përfaqësuesen tuaj të derisotme në Kuvend, që nuk e ngriti asnjëherë zërin për dhjetra investime të nisura, por të bllokuara prej dy vitesh, për qindra banorë që u ka shkuar laku në fyt, që shtrëngojnë rripin ditë për ditë se nuk kanë punë, nuk kanë para dhe ç’është më e keqja nuk kanë shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Apo do të jetë dita kur të bashkohemi të gjithë dhe të themi jo! Nuk duam! Nuk duam një kukull të Rama-Metës në Roskovec”, deklaroi Basha.

Duke iu referuar premtimeve të mazhorancës, Basha ironizoi premtimet për uljen e çmimeve mes të cilave edhe të naftës.

“Vende të reja pune nuk ka, shëndetësi falas nuk ka, legalizime s’ka, tritol po, rend dhe siguri nuk ka. Por për një pjesë të banorëve të kësaj bashkie të re e kanë mbajtur fjalën. E kanë mbajtur fjalën bukur shumë! Po! Po! Jo vetëm që e kanë ulur çmimin e naftës, por ua kanë derdhur me gallona në oborre banorëve të Marinzës dhe Patosit”, u shpreh kreu i PD-së.

Gëzim Çaushi, aktualisht kryetar i Bashkisë së Roskovecit, u premtoi qytetarëve se besimin e tyre do ta përkthejë në punë.

Roskoveci me ndarjen e re elektorale bashkohet me komunat Kuman, Strum dhe Kurjan.

Top Channel