Nepal, numri i viktimave i kalon 2600. Gërmime edhe me duar, për trupat nën rrënoja

26/04/2015 00:00

Ekipet e shpëtimit kanë gërmuar me duart e tyre të zhveshura dhe kanë nxjerrë dhjetëra trupa nga rrënojat në Nepal, gjatë së dielës, pas shkatërrimit të jashtëzakonshëm që shkaktoi në gjithë rajonin përreth kryeqytetit Katmandu, tërmeti që la edhe të paktën 2600 trupa të pajetë, si dhe shkaktoi orteqe në malin Everest.

Një oficer i ushtrisë, Santosh Nepal, dhe një grup punonjësish shpëtimi kanë punuar përgjatë gjithë natës për të hapur një kalim brenda një ndërtese të shkërmoqur në Katmandu, për të cilën ata janë detyruar të përdorin sëpata e mjete të tjera rrethanore, pasi bulldozerët nuk mund të hynin përmes rrugëve të ngushta antike të kryeqytetit.

“Besojmë se ka ende njerëz të bllokuar nën rrënoja”, tha ai për “Reuters”, duke treguar për nga rrënojat e një godine trikatëshe të rrënuar përtokë.

Në atë që konsiderohet si tragjedia më e keqe në Everest, trupat e 17 alpinistëve u gjetën gjatë së dielës, pasi ishin bllokuar nga orteqet, por qindra të tjerë, shumica të plagosur, mbeten ende të bllokuar në mal.

Duke qenë se qeveria e Nepalit është tronditur dhe është gjetur e papërgatitur përpara shkallës së jashtëzakonshme të kësaj fatkeqësie, India ka ofruar furnizime mjekësore dhe ekipe ndihmëse, ndërsa Kina ka dërguar një ekip me plot 60 punonjës emergjence.

Mes ndërtesave historike të kryeqytetit, të shkatërruara nga tërmeti, ishte edhe një kullë 60 metra e gjatë, “Darahara”, e ndërtuar në vitin 1832 për Mbretëreshën e Nepalit, i hapur për vizitorët përgjatë 10 viteve të fundit. Nga ajo që ishte, tashmë ka mbetur vetëm një “trung i thatë”. Ndërkohë, pasi policia nxorri nga rrënojat e saj shumë trupa të pajetë, një polic tha se mund të ketë deri në 200 njerëz të bllokuar brenda saj.

Tërmeti i magnitudës 7.9 goditi Nepalin mesditën e së shtunës në një periudhë tepër të ngarkuar me turistë për vendin që bazohet kryesisht te turizmi, gjatë së cilës përllogariten rreth 300 mijë turistë të huaj në vend.

Policia e Nepalit e ka çuar numrin e viktimave në 2263, ndërsa të plagosurit plot 4647. Të paktën 700 prej viktimave janë shënuar në kryeqytet, vendstrehim i rreth 1 milion banorëve, ku shumica e shtëpive janë konstrukte të vjetra dhe të vendosura shumë pranë njëra-tjetrës.

Top Channel