Bulqizë, prezantohet kandidati i LSI-së për kryetar Bashkie

26/04/2015 00:00

Mazhoranca e majtë, nëpërmjet strukturave kryesore të PS dhe LSI-së, ka prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë Bulqizë, kandidat nga LSI-ja, Melaim Damzi.

Prezantimi i tij u bë në një nga lokalet e qytetit, ku morën pjesë anëtarë dhe simpatizanë të dy forcave kryesore në pushtet, si dhe deputetët e Dibrës, Shkëlqim Cani, njëherësh edhe ministër i Financave, Përparim Spahiu dhe Ulsi Manja, si dhe i deleguari i LSI-së, Ylli Manjani.

Takimin e hapi kryetari i degës së PS-së, Artur Kala, i cili në fjalën e tij evidentoi sukseset 2-vjeçare të Bashkisë nën drejtimin e socialistëve.

Përshëndeti me këtë rast edhe deputeti Shkëlqim Cani, i cili falënderoi kryetarin aktual të Bashkisë, Myfit Duriçi, për sukseset e arritura në një periudhë të shkurtër 2-vjeçare në krye të Bashkisë. Në të ardhmen, ai premtoi më shumë fonde për Bulqizën, për të shënuar kështu të tjera arritje nga bashkia, nën drejtimin e kadidatit Melaim Damzi.

I deleguari i LSI-së për prezantimin e Melaim Damzit për kryebashkiak të ardhshëm të Bulqizës, Ylli Manjani tha në fjalën e tij se, kemi solidaritet të plotë me PS-në, gjë kjo që e bën të sigurt fitoren e së majtës në Bulqizë.

Kryebashkiaku aktual, Myfit Duriçi tha ndër të tjera se, gjatë këtyre dy viteve “bëmë detyrën duke shënuar suksese të ndjeshme për Bulqizën”, si dhe garantoi mbështetjen e plotë për kandidatin e LSI-së, Melaim Damzi.

Ndërkohë, kandidati Melaim Damzi falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen dhe premtoi menaxhim të mirë për Bulqizën në të ardhmen.

Përshëndeti takimin edhe deputeti Përparim Spahiu, i cili tha se “të gjithë bashkë, punën e nisur do ta çojmë përpara për Bulqizën”.

Top Channel