Prezantohet kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në Kuçovë

26/04/2015 00:00

Mbrëmjen e së shtunës është prezantuar kandidati për kreun e Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani. Mijëra qytetarë kanë pritur deputetë e ministra të së majtës së bashkuar tashmë. Takimi u organizua në kinemanë e qytetit, ndërsa një pjesë e mirë kanë pritur në ambientet e jashtme të kinemasë, ku u bë dhe prezantimi.

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, ka theksuar se nuk ka ardhur si ministre, por si e zgjedhur me votat e vetë qytetarëve të Kuçovës, ndaj i kërkoi të bashkohen dhe të përkrahin  kandidaturën e zgjedhur si më e mira e mundshme.

Ndërsa ka patur replika nga salla për mosplotësimin e shumë premtimeve të bëra gjatë fushatës, Felaj i është përgjigjur se jo të gjitha bëhen për një vit e gjysmë.

Nën siglën Aleanca për Shqipëri Europiane, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka vijuar se Kuçova ka nisur një rrugë të mbarë në zhvillimin e infrastrukturës dhe do të vijojë më tej edhe në zbatimin e gjithë projekteve të nisura nga bashkiaku.

Ndërsa deputeti Fidel Ylli theksoi: “Do të shikojmë sesa mirë do të ecim po të jemi të bashkuar”.

Së fundi, vetë kandidati për kryebashkiak, Selfo Kapllani, ka pohuar se ndarja e re administrative do t’i sjellë më shum të mira qytetarëve duke punuar gjithë së bashku.

“Me mbështetjen edhe të qeverisë, do të mundim të realizojmë projektet që kemi të nisuara, por edhe do të vijojmë me projekte të reja në shërbim të qytetarëve”, tha Kapllani.

Top Channel