Berat, 15 studio projektuese për “ishullin multifunksional”

26/04/2015 00:00

Pas akordimit të një shume nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për projektin e “ishullit të Beratit”, 15 studio të përzgjedhura kanë mbërritur në këtë qytet.

Në projektin e Qeverisë shqiptare për transformimin e qendrave të qyteteve, përfshihet edhe zona nga Ura e Varur drejt qendrës së qytetit të Beratit, një sipërfaqe toke kjo prej 4 hektarësh, që synon të kthehet në një ishull multifunksional, projekt tashmë i investuar dhe që pret të marrë jetë.

Në një takim të organizuar sot me specialistë të Urbanistikës së Bashkisë, specialistë të monumenteve, të turizmit dhe Agjencisë së Planifikimit të Territorit, që po menaxhon këtë projekt, kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 15 studiove projektuese të huaja dhe vendase.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, tha: “Ka pasur studio nga Italia, Franca, Spanja, Belgjika, Holanda dhe Gjermania. Janë habitur nga arkitektura e Beratit dhe janë nxitur për të sjellë një projekt të arrirë dhe shumë konkurrues. Besoj se do të nxiten edhe për projekte të tjera”.

Pas fazës së parë të prezantimit të studiove projektuese, do të vijohet me fazën tjetër, atë të përzgjedhjes së studios fituese.

Top Channel