Nishani: “Eksodi”, shqetësim kombëtar. Ministrat të lënë zyrat dhe të gjejnë zgjidhje

26/04/2015 00:00

“Ky është një shqetësim i madh kombëtar”. Kështu e ka cilësuar Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, eksodin e muajve të fundit të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian.

Nga Shishtaveci, ku ishte në një takim me banorët e kësaj zone, Presidenti Nishani tërhoqi vëmendjen e qeverisë që të heqë dorë nga fjalimet e të dalë nga zyrat, për t’u përballur me shqetësimet e këtyre qytetarëve.

“Unë besoj se gjërat nuk mund të bëhen brenda një nate, por duket të ketë një fillim; duhet të ketë një punë të përditshme konkrete me projekte që zhvillohen tek toka, tek fshati, tek ara, mali e pylli dhe jo tek fjalimet. Unë dëshiroj që nga Shishtaveci t’u bëj thirrje të gjithë autoriteteve përkatëse të dalin menjëherë nga zyrat dhe të shkojnë tek njerëzit, të bisedojnë me ta dhe të dëgjojnë propozimet dhe mendimet e tyre. Së pari, këtë duhet ta bëjnë ministritë që kanë përgjegjësi ligjore për çështjet e zhvillimit të ekonomisë. Kjo nuk ka nevojë për ndonjë filozofi të madhe, kjo ka nevojë për të qenë të sinqertë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Top Channel