PS: Basha i di dështimet e Tiranës. PD: Basha, vizionar

26/04/2015 00:00

Deputeti socialist, Ervin Bushati, ka deklaruar të dielën se me votën e 21 Qershorit, qytetarët e Tiranës do i japin një mesazh të qartë Partisë Demokratike dhe kreut të saj, Lulzim Bashës.

“Vota e 21 qershorit do të jetë mesazh i qartë për PD-në sepse qytetarët dinë t’i dallojnë mirë mashtruesit”, tha Bushati.

“A i mbani mend premtimet e Lulit për sportin? Për investimet në terrene sportive dhe ndërtimin e të paktën një qendre sportive për çdo njësi bashkiake? Siç e tha dhe vetë Halimi, Luli jo vetëm që s’e ka mbajtur këtë premtim, por nuk e çoi dot as nga A-ja tek B-ja. Premtoi çudira për sportin, por sot, në fundin e mandatit të tij, e ka katandisur dhe ekipin e Tiranës në ditë të hallit. Lulzim Basha i di dështimet e tij më mirë se kushdo. Prandaj zgjodhi të fshihet pas një kandidati si Halimi, për t’i shpëtuar përballjes me votë në 21 Qershor”, theksoi Bushati.

Partia Demokratike reagoi nëpërmjet koordinatores Reila Bozdo: “Sot nuk ka qytetar të Tiranës apo shqiptar që nuk e di se Lulzim Basha  i ka dhënë Tiranës vizionin e një qyteti modern dhe europian me Bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh me tram, 200 projekte të realizuara në infrastrukturë, kopshte, shkolla e çerdhe, 25 mijë vende të reja pune, etj. Ndërsa Edi Rama si kryebashkiak betonizoi Tiranën, si kryeministër është përgjegjës për papunësinë, varfërinë, mjerimin, pasigurinë dhe eksodin. Por përgjigjen më të mirë do ta japin qytetarët më 21 Qershor”.

Top Channel