Basha në Gjirokastër: 21 Qershori, dita e gjykimit politik për dyshen Rama-Meta

26/04/2015 00:00

Në Gjirokastër, ku prezantoi Igli Kokalarin si kandidatin e së djathtës, Lulzim Basha e cilësoi 21 Qershorin si ditën e gjykimit politik ndaj dyshes Rama-Meta, si protestë e keqqeverisjes, sipas tij.

“Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Ju a them unë se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend”, tha Basha.

Qeveria, tha Basha, i ka vendosur lakun në fyt qytetarëve, shkak për të cilin ai beson se edhe në Gjirokastër nuk do të votohet kandidati i majtë për këtë bashki. Basha tha se gjirokastritët nuk do të pranojnë të qeverisen nga “Gjiri i Lalzit”, duke nënkuptuar me këtë Ilir Metën, kandidati i të cilit garon në qytetin e gurtë për të majtën.

“E kërkojnë votën tuaj për të miratuar politikën e lakut në fyt dhe vota juaj do ta miratojë këtë politikë të lakut në fyt ose do ta heqë lakun nga fyti i shqiptarëve. Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me votën tuaj, me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet  për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër por në Gjirin e Lalzit. Bashkisë së re të Gjirokastrës, qytetarëve të rinj e të vjetër të këtij qyteti e çdo komune, një njeri i sprovuar në shërbimin ndaj tyre, një njeri që urdhrat nuk do i marrë as nga Tirana e as nga Gjiri i Lalzit, por do i marrë nga gjirokastritët dhe ky është Igli Kokalari”,  tha kreu i PD-së.

Top Channel