Kompensimi i energjisë elektrike; qeveria pretendon shpërndarjen, nuk pasqyrohet në buxhet

26/04/2015 00:00

Në fund të vitit të kaluar, kur Enti Rregullator e rriti çmimin e energjisë për fashën mbi 300 kw të konsumatorëve familjarë, qeveria deklaroi se do të kompensonte plotësisht shtresat më të varfra të popullsisë. Për këtë qëllim, në buxhet u përcaktua një fond prej 1.6 miliardë lekë, i cili do të mbulonte gjithë efektin e rritjes së tarifës për rreth 200 mijë familje në shkallë vendi.

Sipas një skeme të hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale, për të mos krijuar vështirësi te këto familje u vendos që kompensimi të parapaguhej. Por sipas të dhënave që publikon Ministria e Financave, deri në fund të muajit marsit rezulton se buxheti nuk ka shpërndarë asnjë lek për kompensimin e çmimit të energjisë.

Ministria e Financave thotë se familjarët i kanë marrë paratë e kompesimit, por fondet nuk figurojnë në zërin përkatës të buxhetit, por janë të shpërndarë në zërat e tjerë, si ai i sigurimeve shoqërore për pensionistët apo te ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

Nga ana e saj, Ministria e Mirëqenies Sociale sqaron se menjëherë pas miratimit të VKM-së, kjo ministri përgatiti udhëzimin përkatës  për kryerjen e procedurave respektive për kompensimin. Sipas VKM-së dhe Udhëzimit, njësitë e qeverisjes vendore dërgojnë pranë Shërbimit Social Shtetëror kërkesën për fonde.

“Këto kërkesa kanë ardhur pranë këtij institucioni në muajin prill dhe tashmë, në përputhje me legjislacionin ky institucion ka përgatitur procedurat për çeljen e fondeve që u alokohen njësive vendore. Çelja e fondeve mundëson kryerjen e pagesave të kompensimit të energjisë elektrike për të gjithë periudhën janar-qershor 2015, pavarësisht nga vonesat e shkaktuara nga njësitë vendore në dërgimin e kërkesës për fonde pranë Shërbimit Social Shtetëror’,  thuhet në sqarimin e ministrisë.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se kompensimi i energjisë nuk është transferta e vetme për të varfrit, që ka ecuri problematike. Pagesat për ndihmën ekonomike, gjithashtu kanë rënë me gati 50 për qind krahasuar me vjet 6.54 miliardë lekë që ishte në 3.71 miliardë lekë.

Gjithashtu, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se pagesat për ndihmën ekonomike këtë vit nuk janë më të ulëta vetëm se vjet, por janë më të ulëtat që nga viti 2009. Për këtë fakt, Drejtoria e Shërbimit Social thotë se janë duke u bërë verifikime për shifrat gjatë ditëve në vijim, pasi sipas saj, të dhënat e viteve të shkuara mund të jenë raportuar gabimisht.

Edhe për këtë fakt, Ministria e Mirëqenies Sociale ka një tjetër qëndrim. Sipas saj, në dy-mujorin e parë të vitit 2014 janë disbursuar fonde si për të kryer pagesat e pakryera nga qeveria e mëparshme përgjatë 2013-s, ashtu edhe për të kryer pagesat e  familjeve në ndihmë ekonomike për periudhën përkatëse.

“Në 2015 ne nuk trashëguam asnjë detyrim nga 2014, sepse pagesat janë kryer rregullisht ndaj familjeve përfituese të ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar. Pra, fondi i tremujorit të parë të vitit 2014 është më i madh se e njëjta periudhë e 2015-s për shkak të kryerjes së pagesës së borxhit të mbartur nga qeveria paraardhëse”, mbyllet qëndrimi i ministrisë.

 

Top Channel