Merkel: Sistem të ri për azilkërkuesit

26/04/2015 00:00

Teksa vala e emigranteve ka shënuar rritjen më të madhe të saj, kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë thirrje Bashkimit Europian për të krijuar një sistem të ri i cili sipas saj, do të shpërndaje në mënyre të kontrolluar azilkërkuesit.

Duke i mëshuar idesë se rregullat e Dublinit duhen ndryshuar, Merkel deklaroi se të gjithë qeveritë duhet të hapin dyert e vendeve të tyre dhe të presin një numër të caktuar refugjatësh, gjë kjo e cila do të varet nga kapaciteti i tyre ekonomik dhe numri aktual i popullsisë.

Një nga zërat më të fuqishëm në Gjermani , por jo vetëm, iu referua në mënyre specifike David Cameron për të pranuar në Britaninë e Madhe më shumë refugjatë. Por më herët Cameron me qëndrim kategorik, e pati refuzuar një skemë të tillë. Argumenti i tij ishte i qartë dhe i prerë: Anglia po e jep kontributin e saj nëpërmjet ndihmave në buxhetin europian për përballimin e fluksit, si edhe ka dërguar anije shpëtimi në ndihmë të operacioneve.

Ndërkohë që Europa pretendon se po lufton për të menaxhuar krizën me të gjitha format e saj, kancelarja gjermane u tregua skeptike për këtë. Komentet e Angela Merkel vijnë vetëm pak ditë pas  samitit emergjent të liderëve të Unionit për situatën e emigrantëve.

Rregullat e Dublinit i detyrojnë refugjatët që të kërkojnë azil në vendin e parë që ata shkelin, pa i dhënë mundësinë të zgjedhin mes shteteve të tjera. Në shumicën dërrmuese të rasteve, vija bregdetare e Mesdheut është ajo që i pret, edhe pse shpesh herë ka shkaktuar tragjedi të mëdha në humbje fatale njerëzore. Por e parë si e vetmja alternativë arratisjeje nga vendet amtare, jugu i Europës kthehet automatikisht në strehën e mbipopulluar.

Në praktikë, rregullat Dublin lënë shumë refugjatë në harresë ligjore: inkurajohen për në Bashkimin Europian dhe më pas u ndalohet ligjërisht pretendimi për të kërkuar azil diku tjetër. Këtu merr udhë kaosi që ka mbështjellë Kontinentin e Vjetër.

Top Channel