Nga Moska në Gjermani me motor

26/04/2015 00:00

Rebelët pro-rusë kanë gjetur një formë alternative për të përkujtuar 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Qindra motoristë, me veshje lëkure dhe me flamuj, kanë nisur udhëtimin e tyre nga Moska dhe kërkojnë të kalojnë nëpërmjet Bjellorusisë e Polonisë, për të mbërritur më pas në destinacionin e tyre final, në Gjermani.

Këtë rrugëtim ata e kanë quajtur thjesht “Udhëtimi i fitores”. 20 motoristëve rebelë iu bashkuan edhe të tjerë përkrahës përgjatë rrugës së përshkuar. Aleksander Zaldostanov, lideri i gupit “Ujqërit e Natës”, e përshkroi si një eksperiencë unike.

Por, jo të njëjtën gjë kanë shprehur njerëzit që i kanë ndeshur këta ultra-nacionalistë. “Unë u tremba, ata ishin maskuar dhe motorat bënin një zhurmë të frikshme”, tha për CNN një vajzë që kishte ndeshur rebelët.

Por, pengesa për ta nuk është edhe shumë larg. Kryeministri polak deklaroi se nuk do ta lejojë grupin të kalojë në vendin e tij, me justifikimin se Ministria e Jashtme e Varshavës ka mungesë informacioni për këtë aktivitet.

Udhëtimi vjen në një moment tensioni të madh Lindje-Perëndim dhe këta të fundit druhen se ky është një provokim i radhës. Midis autoriteteve të këtyre shteteve mësohet se ka patur një komunikim të vazhdueshëm për të rakorduar në një vendim të përbashkët.

“Unë nuk mendoj se vizita në varret e luftës është provokues apo agresiv”, tha për BBC një anëtar i bandës. Ndaj, Moska pretendon se vendimi është i motivuar politikisht.

Por, situata e polarizuar duket se nuk i jep shpresë këtij udhëtimi të nisur nga ekstremistët pro-Putin për të përfunduar në destinacionin e dëshiruar.

Top Channel