Meta prezanton kandidatët në Libohovë dhe Gjirokastër

26/04/2015 00:00

Gjatë një turi të zhvilluar në qarkun e Gjirokastrës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, morën pjesë në takimin e përbashkët me strukturat e PS-së e LSI-së në këtë qytet, ku u bë prezantimi i kandidates së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për bashkinë, Zamira Rami.

Gjatë fjalës së tij, Meta theksoi se projekte të reja që janë në proces tregojnë vëmendjen e jashtëzakonshme që ka qeveria e re për zhvillimin e Gjirokastrës.

“Kam besim se të gjithë së bashku do të bëjmë të mundur që të përshpejtohen ritmet e transformimit të Gjirokastrës dhe të rriten mundësitë e zhvillimit të saj. Do të apeloja ndaj të gjithë drejtueseve të institucioneve të jeni shembull i përfaqësimit të Aleancës për Shqipërinë Europiane në raport me qytetarët. Forca e kësaj aleance qëndron tek bashkëpunimi, te solidariteti dhe qëllimi i përbashkët që Shqipëria të bëhet një vend që ofron siguri e besim për të ardhmen e çdo qytetari”, theksoi Meta në fjalën e tij.

Gjatë këtij takimi, kandidatja për Bashkinë e Gjirokastrës, Zamira Rami bëri edhe një prezantim të projekteve të saj për drejtimin e bashkisë së re. Po ashtu, edhe ministri Ahmetaj, deputetit Tavo dhe kryetari aktual i Bashkisë, Flamur Bime shprehën bindjen e tyre se Zamira Rami është zgjedhja e duhur dhe fituese e koalicionit qeverisës për Bashkinë e Gjirokastrës.

Top Channel