Librazhd, gjendet një trup i dekompozuar në komunën Babje

26/04/2015 00:00

Një trup i dekompozuar është gjetur në një përrua, në komunën Babje të Librazhdit. Kufoma është vënë re nga disa fëmijë.

Kanë qenë banorët ata që lajmëruan policinë, e cila ka nisur hetimet duke marrë në pyetje fillimisht banorët e zonës. Vendi ku u gjet kufoma e dekompozuar është rreth 10 metra larg aksit rrugor, por shumë larg zonës së banuar nga dy lagjet e fshatit Babje, ndaj trupi i pajetë nuk ishte pikasur më parë nga banorët e zonës.

Banorët e fshatit shprehen se nuk mund të përcaktojnë me saktësi sa kohë trupi është ndodhur aty, ndërkohë që thonë se në fshat nuk ka asnjë person të zhdukur.

Burime të pakonfirmuara bënë me dije së kufoma është e seksit femër, rreth 25 vjeçe dhe dyshohet të jetë vrarë.

Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të kryhen ekzaminimet e mëtejshme.

Top Channel