Tërmeti në Nepal, numri i viktimave i kalon 3 600

27/04/2015 00:00

Fatkeqësisë së përplasur mbi Nepalin e varfër ende nuk i duket fundi. Bilanci i viktimave tanimë numëron 3.600 të vdekur e nuk është çudi të rëndohet akoma më shumë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Operacioneve të Emergjencës, të plagosurit janë mbi 6.500. Ekipet e kërkim-shpëtimit vetëm tani i janë afruar zonave të thella në perëndim të vendit, ku shumë komunitete, sidomos ato në zonat malore, kanë pësuar dëme të mëdha.

Matt Darvas, zëdhënës i agjensisë së ndihmës World Vision, thotë: “Fshatrat e ndodhur rrëzë maleve janë ndër më të rrezikuarit e preken vazhdimisht prej rrëshqitjeve të dheut. Nuk është e pazakontë për fshatra me 200, 300 apo dhe 1.000 banorë të varrosen krejtësisht nga gurët që bien”.
 
Zyrtarët rrëfejnë se në rajonin e Gorkha-s, ku ishte dhe epiqendra e tërmetit 7,8 ballësh të së shtunës, 70% e banesave janë rrafshuar. Mes fshatrave të prekur janë edhe disa të banuar prej tibetianësh, një pjesë e mirë të cilëve kishin kërkuar strehim në Nepal. Një prej këtyre fshatrave, Bridimi, në veri të Katmandusë, praktikisht është fshirë nga harta. Me dhjetëra të vdekur raportohen edhe në Kinën dhe Indinë fqinje. Ndonëse me intensitet më të vogël, lëkundjet e tokës kanë vazhduar edhe përgjatë këtyre dy ditëve. Tepër të frikësuar për t’u kthyer në shtëpi, mijëra vetë kaluan një natë të dytë në qiell të hapur. Korrespondenti i BBC-së, Justin Roëlatt, e përjetoi njërën prej këtyre lëkundjeve ndërsa raportonte “live”.

Tërmeti më i rëndë që trondit Nepalin në 80 vjet ishte shkaku i një orteku gjigand në malin Everest, ku furia e dëborës që zbriti nga shpatet i ka marrë jetën 18 personave, ka plagosur 60 të tjerë e disa rezultojnë të zhdukur. Njëri prej episodeve u filmua nga një alpinist gjerman, i cili mbeti i plagosur rëndë.

15 skuadra ndërkombëtare specialistësh dhe 14 ekipe mjekësh janë rrugës për në Nepal, ku përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve mes rrënojave vazhdojnë, edhe pse, siç tha për Reuters zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal, pas dy ditësh kërkimesh të pareshtura në terren, punonjësit janë të sfilitur.

Ndihmë kanë dhënë deri tani Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Britania, Pakistani e Norvegjia, ndërsa kanë premtuar edhe Gjermania, Spanja, Franca, Izraeli e Bashkimi Europian.

Top Channel