Basha: Edi Rama, kryeministër turist i një populli refugjat

27/04/2015 00:00

Kur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi banorë të zonës së Xarrës në Sarandë, ku kandidon Kreshnik Bozho, panorama e krijuar nuk ndryshonte nga pjesët e tjera të vendit.

Fermerë që ankohen për mungesën e mbështetjes nga qeveria, të papunë dhe të pamundur pa ndihmë sociale.

Gjatë turit të jugut të vendit, Lulzim Basha prezantoi Dhurim Alinanin në Delvinë, një rast ky për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe për të nxjerrë në pah premtimet e pambajtura të qeverisë.

“Le t’i ngrenë duart ata që e paguajnë faturën e energjisë më pak se para një viti apo para dy vjetësh. Kush është futur në punë vitin e fundit, të ngrejë dorën”, tha Basha.

Dorën nuk e ngriti askush, çka i dha zemër kreut të opozitës të ngrejë edhe më shumë zërin kundër mënyrës se si po drejtohet sot vendi, gati dy vjet pas ardhjes në pushtet të koalicionit Rama-Meta.
 
“Keqqeverisja ka marrë trajtat e pashpirtësisë me mënyrën se si godet më të pamundurit. Duke u rritur taksat e duke blerë palma, duke u rritur çmimin e energjisë e duke ndërtuar kulla korrupsioni, Edi Rama është kryeministri turist i një populli refugjat”, tha kreu i PD-së.

Duke prezantuar në Libohovë kandidatin për kryetar bashkie, Altin Çomo, zoti Basha bëri premtimin kryesor të opozitës: uljen e taksave për t’i dhënë frymë ekonomisë, për të hapur vende pune dhe për t’u rikthyer shpresën qytetarëve që të mos e braktisin vendin.

Top Channel