Tiranë, Halim Kosova nga Peza: Shitje të organizuar të prodhimeve

27/04/2015 00:00

Problemet e bujqësisë tani janë pjesë e fushatës elektorale të Bashkisë më të madhe të vendit, për shkak të përfshirjes në territor të pothuasje të gjithë fshatrave, që e rrethojnë kryeqytetin. Vështirësitë për shitjen e prodhimit dhe mënyra sesi mund të zgjidhet problemi ishin fokusi i bisedës së Halim Kosovës me banorë të Pezës.

“Çdo zonë në Tiranë ka karakteristikë të vetën një, dy, 3, 5 prodhime. Ti e prodhon perfekt dhe je i detyruar ta shesësh në kushte mizerabël. Kjo e humb vlerën e djersës tënde, se po i njëjti mall është. Ndërtimi i tregjeve dhe i rrugëve, sesi ju t’i sillni në mënyrë të organizuar, do të jetë një nga prioritetet e mia”, tha kandidati demokrat për Tiranën, Halim Kosova.

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës po zhvillon takime me përfaqësues të kategorive të ndryshme, përpara shpalljes së programit për Bashkinë e stërmadhe, që synon të drejtojë.

“Në qoftë se do të kem mundësi të bëj 10 gjëra, ta dini që 5 do deklaroj. Ama, ato të pesta do i bëj se s’bën”, deklaroi kandidati Kosova.

Si pjesë të platformës së vet, dr. Halim Kosova ka shpallur komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarin dhe transparencën për fondet e Bashkisë.

Top Channel