Donald Lu: Ka kandidatë të inkriminuar, po diskutojmë me udhëheqësit politikë

27/04/2015 00:00

Vetëm 5 ditë përpara mbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit të kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 21 Qershorit, Ambasada amerikane bën deklaratën e fortë: në listat e partive ka persona me të kaluar të mundshme kriminale.

Përkundër përpjekjes për një shqipe korrekte, ambasadori amerikan nuk bëri asnjë përpjekje, që këtë ta thotë në gjuhën diplomatike, por zgjodhi gjuhën e drejtpërdrejtë për të bërë pohimin:

“Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale. Jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politik. Nxisim gazetarët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët e zakonshëm, të kërkojnë që politikanët e tyre të përmbushin standardet më të larta etike”.

Selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë ka kaluar në sitë të gjithë kandidaturat e propozuara nga partitë politike, për aktivitete kriminale të mundshme të tyre brenda dhe jashtë vendit.

Thënë këtë, ambasadori ndau kënaqësinë e një liste përgjithësisht të mirë dhe veçanërisht të përzgjedhjes së kandidateve femra, të afta sipas tij për postet që do të garojnë. Donald Lu u bëri apel shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhje, si mënyrë për të ndryshuar politikën.

“Ditë më parë u takova me disa nxënës gjimnazi dhe i pyeta nëse do të shkonin të votonin në zgjedhjet vendore. Gati gjysma e tyre më thanë se do ta bënin diçka të tillë, ndërsa gjysma tjetër u shpreh sesa të zëmëruar dhe të neveritur janë me politikanët. Jo shumë ndryshe nga mënyra sesi të rinjtë në Amerikë ndihen për politikën. U thashë se, nëse ata nuk marrin pjesë, politika nuk do të përmirësohet kurrë”, tha ambasadori Lu.

Qeveria amerikane ka ofruar për këto zgjedhje 625 mijë dollarë për të mbështetur shoqërinë civile për zgjedhje të lira e të ndershme në vend. Megjithë monitorimin e lartë ndërkombëtar, diplomati amerikan deklaroi se janë shqiptarët ata që do të vendosin nëse zgjedhjet do të jenë apo jo të tilla.

Top Channel