Vullkani në Kili, shpërthimet shkarkuan 210 milionë metër kub hi në ajër

27/04/2015 00:00

Edhe pse pati momente qetësimi pas dy shpërthimeve të javës së kaluar, vullkani Kalbuko në jug të Kilit, sipas autoriteteve vendase, mund të nisë aktivitetin sërish.

Përgjatë kohës së qetësimit të tij, shumica e aeroporteve në Kili dhe në Argjentinën fqinje u hapën pas mbylljes së përkohshme për shkak të tonelatave të tëra të hirit të lëshuara në atmosferë. 210 milionë metra kub hi i nxjerrë prej Kalbukos mbuloi të gjithë tokën përreth, duke detyruar banorët e disa fshatrave të lëvizin nëpër rrugë me maska në fytyrë.

Ekspertët druhen se shiu që pritet të bjerë ditët në vijim mund të përzihet me grimcat e hirit, duke krijuar përrenj të rrezikshëm balte. Mbi 6 000 persona që jetojnë në zonat shumë pranë vullkanit, sakaq janë evakuar që të gjithë e nuk do të kthehen deri në stabilizimin e situatës.

Qeveria kiliane njoftoi të shtunën se do të ofrojë ndihmë për të mbuluar humbjet e jashtëzakonshme të fermerëve të zonës e për të larguar kafshët shtëpiake prej andej. Shpërthimi i së enjtes krijoi një re hiri që u ngrit në qiell për mbi 20 kilometra. Për shkak të saj, shumë fluturime ndërkombëtare patën vonesa ose u anuluan.

Hiri vullkanik mund të jetë tepër i rrezikshëm për avionët, sepse grimcat e tij mund të hyjnë në motorë duke i dëmtuar rëndë.

Top Channel