PD, Basha prezanton kandidatët në Elbasan, Prrenjas dhe Librazhd

27/04/2015 00:00

Partia Demokratike po përpiqet të shndërrojë zgjedhjet lokale në zgjedhje politike dhe në çdo bisedë me qytetarët, kreu i opozitës Lulzim Basha ka si lejtmotiv keqqeverisjen.

Në Elbasan, ku prezantoi Ardian Turkun, zoti Basha dëgjoi problemet e qytetarëve që për shkak të papunësisë dhe varfërisë janë kanë problem mbijetesën. Zgjidhja, sipas zotit Basha, qëndron tek vota e 21 qershorit.

“Vota e 21 qershorit do të jetë akti më i madh i bashkimit të shqiptarëve, të djathtë e të majtë. Edhe pse mund të mos ndajmë bindjet politike, edhe pse mund të jemi krejt të ndryshëm në pikëpamjet tona ideologjike, na bashkon mjerimi që ka kapluar vendin për shkak të politikës së mbrapshtë të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Na bashkon shqetësimi për t’u shkëputur nga politika e varfërimit, e lakut në fyt, e rripit që shtrëngohet, na bashkon dëshira për t’i shërbyer sa më mirë familjeve dhe fëmijëve tanë”, deklaroi Basha.

Ndërsa duke prezantuar kandidatin për Bashkinë e Prrenjasit, Bajazit Karriqi, kreu i opozitës vuri në dukje kontrastin mes jetës së kryeministrit dhe asaj të shqiptarëve.

“Nuk iu rrihet këtu në Shqipëri, nuk e shohin dot, nuk e ndjejnë dot dhimbjen e shqiptarëve si kryeministri turist, që çdo fundjavë shkon dhe hap ekspozitat e tij nga Roma në Berlin, i fut dhe një të vizituar muzeut të Mercedes Benz-it në të njëjtin qytet, ku në të njëjtën ditë dhjetëra shqiptarë përfundojnë si refugjatë”, tha Basha.

Ndërsa në Librazhd, Partia Demkratike ka kandiduar Fadil Brazhdën dhe nga ky qytet zoti Basha, i cili ka si premtim kryesor uljen e taksave për t’i dhënë frymë ekonomisë, shprehu besimin se shqiptarët do t’i besojnë alternativës së opozitës.

“Koha e zullumit dhe regjimit të zullumit ka filluar numërimin mbrapsht, pasi shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për të marrë në dorë fatin e tyre”, u shpreh Basha.

Top Channel