Çefa vijon betejën gjyqësore: Dua të rikthehem në KLD si nënkryetar

27/04/2015 00:00

Gjashtë muaj pasi u shkarkua me votat e mazhorancës, së bashku me anëtarin e KLD-së Lulzim Lelçaj, Elvis Çefa këmbëngul te rikthimi në detyrë si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Shkak është bërë edhe zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin shfuqizohet si antikushtetues neni 4 i këtij ligji, në referim të të cilit u shkarkuan Çefa dhe Lelçaj.

Është Gjykata Administrative, ajo që pritet të hapë letrat për shkarkimin e të dyve nga Kuvendi, duke qenë se, pas padisë së tyre, kjo gjykatë e pezulloi gjykimin deri sa të shprehej Kushtetuesja.

“Mundësia e rregullimit të pasojave do të varet nga një qëndrim politik, përtej gjykatës, i mazhorancës. Nëse mazhoranca politike dëshiron me të vërtetë të kthejë ligjshmërinë, atëherë asaj i ngelet që të na rikthejë në detyrë, mua dhe zotin Lelçaj. Në rast të kundërt, sigurisht që zgjidhja e pasojave do të degradojë vetëm në efekte financiare, çka normalisht nuk e eliminon shkeljen e Kushtetutës në këtë rast”, tha Elvis Çefa, ish zv.kryetar i KLD.

Por ndërsa Çefa i ka sytë nga gjykata, nuk dihet ende sesi do të zgjidhet përtej aspektit gjyqësor kjo çështje, duke qenë se Kuvendi ka dërguar në Këshill dy përfaqësues të tjerë, e përkatësisht Albana Shtyllën e Vangjel Kostën.

Prej muajsh posti i zv.kryetarit në KLD vijon të jetë bosh, çka solli që kompetencat e tij t’i ushtronte Presidenti, në rolin e kryetarit të KLD-së.

“Janë anëtarë të zgjedhur nga kjo mazhorancë. Po i bëhet Presidentit të Republikës nga ministri i Drejtësisë një presion i padrejtë në opinionin tim, për të zgjedhur sa më shpejt zv.kryetarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra duket qartë që synimi i mazhorancës për të kontrolluar politikisht KLD-në, e nëpërmjet tij edhe sistemin gjyqësor, vazhdojnë të jenë konseguente”, tha më tej Elvis Çefa.

Ligji për KLD-në u dërgua së pari në Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD, ndërkohë që ndryshimet në të janë goditur edhe nga vetë KLD-ja, me një padi të dytë.

Top Channel