Dekriminalizimi, PS dyshime për 9 kandidatë të PD

27/04/2015 00:00

Pas disa mbledhjesh të tensionuara dhe pa asnjë rezultat, komisioni për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit ka bërë disa hapa të vegjël përpara, që kanë të bëjnë kryesisht me formën, por jo me përmbajtjen e punës.

Demokratët kërkojnë ta zgjidhin me ligj problemin e moskandidimit të personave me rekorde kriminale për zgjedhjet e 21 qershorit dhe kërkojnë ta zgjidhin këtë brenda 1 jave, para skadimit të afatit ligjor për regjistrimin e kandidatëve.

Por socialistët kërkuan kohë për shqyrtimin e propozimeve të demokratëve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ndërkohë nuk po humbin kohë për të verifikuar disa kandidatë demokratë.

“Hap konkret është ta miratojmë të enjten e ardhshme. Të kalojë në Parlament, një minutë kohë është. Pastaj po të doni, ata që mendojnë se u janë shkelur të drejtat, të formojnë një shoqatë dhe t’i drejtohen institucioneve”, deklaroi deputeti i PD, Eduart Halimi.

“Nuk mund të veprohet kështu, Parlamenti ka proçedura. Por ti shpreh njëherë vullnetin politik për kandidaturat tuaja. Ne kemi bërë kontroll dhe kemi informacion për kandidaturat tuaja. I jam drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe kemi 7 emra me probleme”, replikoi deputeti Taulant Balla.

Jozyrtarisht mësohet se lista ka 9 emra që janë publikisht nën hetim për shpërdorim detyre apo mosdeklarim pasurie, por ende është e paqartë përse ndodhet në të emri i kandidates për kryetare bashkie në Durrës, Grida Duma. Megjithatë, kryetari i komisionit Oerd Bylykbashi vuri në dukje standardin e partisë së tij.

“Sigurisht që PD ka deklaruar qartë qëllimin e saj për të luftuar individët me rekorde kriminale. Ne nuk do të lejojmë asnjeri. Ka një kontratë çdo kandidat me PD dhe këta largohen. Por ne nuk duhet t’ia lëmë këtë çështje vullnetit politik, por vullnetit të ligjit. Ky duhet të jetë shteti i së drejtës dhe jo shteti i tekës së kryeministrit apo kujtdo tjetër”, tha Bylykbashi.

“Nuk kemi pse ngutemi për të bërë arnime të momentit, përsa kohë ky komision i ka të gjitha mundësitë për ta kapur afatin e përcaktuar dhe për ta votuar në Kuvend”, tha deputeti i opozitës Ulsi Manja.

“Nëse vullneti ekziston, një nen është ai, siç tha dhe zoti Halimi. S’ka nevojë për shumë shkollë. Nëse mendoni se me truke të tipit ‘ta shohim’, ‘të mos nxitohemi’, ‘po punojmë ne një draft tonin’, atëherë…”, u shpreh deputeti Genti Strazimiri.

Socialistët, që po përpunojnë një platformë të tyren për dekriminalizimin, lanë të kuptohet se do ta përmbushin detyrimin e marrëveshjes për një paketë të plotë ligjore deri në fund të qershorit, kohë kjo që nga demokratët nuk u prit edhe aq mirë.

Top Channel