BE-Ukrainë, presidenti Tusk: Keni mbështetje, por ndryshoni vendin

27/04/2015 00:00

Qeveria e Kievit duket se nuk mund t’ia dalë e vetme, në betejën ende të ndezur me rebelët prorusë në Lindje të vendit. Për këtë u mbajt një takim i nivelit të lartë me zyrtarë të Bashkimit Europian, ku Petro Poroshenko përfitoi nga rasti dhe u kërkoi atyre rritjen e prezencës së paqeruajtësve ndërkombëtarë në Ukrainë.

Ndërkohë që udhëheqësit e BE-së e vendosën në një lloj presioni Qeverinë e Ukrainës, për të shpejtuar reformat antikorrupsion, për të pastruar politikën ukrainase, si dhe për të rregulluar klimën e biznesit, e në këmbim të tyre lidhjet me unionin do të forcohen më tepër.

“Ju keni një armik të fuqishëm, por gjithashtu mos harroni se keni edhe shumë miq. Ju mund të mbështeteni te ndihma jonë, por kjo nuk do të jetë edhe aq e mjaftueshme, nëse ju vetë nuk e ndryshoni Ukrainën”, tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Tusk, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe Poroshenko mbajtën një seri bisedimesh me dyer të mbylluara, por prioritet në këtë takim pati edhe aspirata e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Kreu i Kievit u kërkoi udhëheqësve, që të mbështesin rrugën e Ukrainës për t’u futur në Bashkimin Europian, ku sipas tij brenda një periudhe 5-vjeçare do të bëhet e pamundura për integrimin në union. Ndërkohë Kievi ka aplikuar për kredi miliarda dollarëshe, duke rënë dakord se do të ndërmarrë reforma të thella për vendin.

Por pavarësisht aspiratave të Ukrainës dhe ujdisë së armëpushimit me Moskën, në Krime vijojnë luftimet me intensitet të lartë, ku separatistët kanë konfiskuar pjesën më të madhe të territorit. Vëzhguesit e OSBE-së raportojnë për të tjera viktima dhe shpërthime të fuqishme.

Top Channel