Italia do ndihmojë në identifikimin nga ajri të parcelave me drogë

27/04/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti për një takim në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ambasadorin italian, Massimo Gaiani.

Gjatë diskutimit janë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa drejtori Çako ka falenderuar palën italiane për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë dhe jep për policinë shqiptare.

Pjesë e bisedës mes ambasadorit Gaiani dhe zotit Çako ka qenë edhe lufta kundër lëndëve narkotike, ku është kërkuar sërish ndihma italiane për të vëzhguar dhe identifikuar nga ajri parcelat e mbjella me kanabist.

Çako tha se ky mision ka rezultuar i suksesshëm në vitet 2012, 2013 dhe sidomos 2014 ku u ndërmorën edhe operacionet më të mëdha kundër hashashit në Lazarat dhe malësinë e Dukagjinit.

Ambasadori italian ka theksuar si Italia ka siguruar fondet edhe për këtë vit për kryerjen e këtij misioni, të vlerësuar si mjaft me rëndësi në luftën kundër narkotikëve. Gjithashtu  Ambasadori i Italisë në vendin tonë  vlerësoi  faktin  se Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së vazhdimësisë duke dedikuar  persona të njëjtë në koordinimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.  

Kryediplomati italian kërkoi mbështetjen e palës shqiptare në lidhje me angazhimet e Italisë më Panairin Ndërkombëtar “Expo Milano 2015” i cili do të zhvillohet në Milano të Italisë, për sa i përket shkëmbimit të informacioneve për akte terroriste apo për akte të tjera të sferës kriminale që mund të përgatiten nga elementë kriminalë terroristë apo organizata terroriste.

Çako theksoi gjithashtu, se Policia e Shteti mbetet e angazhuar në luftën kundër fenomeneve kriminale në përgjithësi dhe të atyre të natyrës terroriste në veçanti dhe në këtë drejtim bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një nga prioritetet tona mbështetur edhe në Strategjinë e Policisë së Shtetit.

Top Channel