Kosovë-Shqipëri, takim i përbashkët për Administratën Publike

27/04/2015 00:00

Ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcilar, priti të hënën në një takim homologen e tij shqiptare, Milena Harito, me të cilën u pajtuan që të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri lidhur me procesin e reformave të administratës publike.

Në konferencën e përbashkët për mediat, pas takimit, ministri Yagcilar tha se tashmë ka shumë mundësi që në të ardhmen të zhvillohet një bashkëpunim më i madh sa i përket ofrimit të shërbimeve publike.

“Ramë dakord, që edhe në të ardhmen të vazhdojmë këtë bashkëpunim, sidomos në proceset e reformave të administratës publike, hartimin e strategjive për zhvillimin e saj, por fusha të tjera të rëndësishme janë edhe bashkëpunimi sa i përket informacionit dhe teknologjisë informative. Bashkë do të punojmë edhe në trajnimin e shërbyesve civilë, sepse zbatimi i reformave të administratës publike realizohet me teknologjinë informative të përshtatshme, me aplikacione moderne, por të përdorura nga zyrtarët ose shërbyesit civilë, të cilët janë të aftë të realizojnë këto angazhime”, tha Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike në Kosovë.

Ndërsa ministrja Harito shprehu gatishmërinë e shtetit shqiptar  për të rritur edhe më tej bashkëpunimin me Kosovën, me fokus të veçantë administratën publike, duke e vlerësuar si thelbësore.

“Në çështjet e administratës publike kemi një fokus të veçantë, sepse të dy vendet tona janë të angazhuara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Kjo është një rrugë e qartë për ne, është një rrugë e pakthyeshme, njëkohësisht është një rrugë që ka mundimin e vet, sepse të dy vendet tona duhet të plotësojnë kushtet e caktuara për të qenë një ditë anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Dhe në këtë rrugëtim, administratat publike janë thelbësore. Kjo është arsyeja përse, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, një nga kërkesat që kemi në këtë rrugëtim është përforcimi i administratave tona publike”, tha Milena Harito, ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike në Shqipëri.

Harito tha se, në Shqipëri tashmë kanë miratuar strategjinë e zhvillimit të administratës publike për periudhën 2015-2020 dhe që këtu do të shikojnë pikat se ku do të mund të bashkëpunojnë me Kosovën.

Top Channel