MJ: Deklaratat e Rusisë, shantazh. Akuzat ndaj Shqipërisë e Kosovës janë destabilizuese

27/04/2015 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme ka thërritur për sqarime ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Aleksandër Karpushin, në lidhje me disa deklarata të pak ditëve më parë të Moskës për incidentin e ndodhur në Maqedoni.

Në një deklaratë pak orë pas ngjarjes në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ku një grup prej 40 personash të armatosur, e që sipas Shkupit ishin me simbolet e UÇK-së, sulmuan një postë policore dhe mbajtën peng për pak orë 4 efektivët e kësaj poste, Rusia do të deklaronte se pas sulmit qëndronin Shqipëria dhe Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme i shprehu ambasadorit pakënaqësinë e palës shqiptare dhe i kërkoi sqarim lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve të MPJ-së ruse.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron këto deklarata të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni si destabilizuese. Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon, e aq më pak parimeve të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më tej, ambasadorit rus iu theksua se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE dhe se çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi.

“Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku  pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal”, mbyllet njoftimi i MPJ.

Katër policët u lanë të lirë, por sipas autoriteteve maqedonase me një mesazh për kryeministrin Gruevski.

“Ne jemi UÇK dhe porosisim të gjithë, se as Ahmeti dhe as Gruevski nuk do të mund t’iu shpëtojnë. Ne duam shtetin tonë dhe nuk duam Marrëveshjen e Ohrit. Nëse iu kapim përsëri këtu do t’iu eliminojmë”- ky ishte mesazhi sipas Ministrisë së Brendshme maqedonase.

Top Channel