Komisioni i ligjeve miraton pr/ligjin për hapjen e dosjeve

27/04/2015 00:00

Komisioni i ligjeve ka miratuar projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, si edhe të kryerjes së transparencës lidhur me figurën e zyrtarëve të lartë në qeveri.

Edhe pse kanë kaluar 25 vite nga rrëzimi i regjimit komunist, shteti shqiptar po bëhet gati të hapë dosjet e ish-sigurimit, çka do t’u mundësojë ish-të përndjekurve politikë të kenë mundësi të informohen saktë se çfarë ka ndodhur me jetën e tyre dhe përse u dënuan në burgjet e sistemit komunist.

Por një nga pikat e diskutueshme ka qenë nëse duhet ose jo të bëhen publike dosjet e ish-sigurimit dhe emrat e tyre. Projektligji parashikon që për zyrtarët e lartë do të kërkohet të dihet nga autoriteti i arkivave që do të ngrihet, nëse kanë qenë ose jo pjesë e ish-sigurimit të shtetit dhe pasi të merret verifikimi i mbetet insitucionit të vendosë.

Në pikën 4 të nenit 29 thuhet: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë çertifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit nr.8001, datë 22.09.1995, ‘Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare’, si dhe ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik’”.

Ditën e enjte ky projektligj, i cili është diskutuar nen për nen në disa komisione parlamentare, do të kalojë në Kuvend. Një muaj pas hyrjes në fuqi të tij duhet të kryhet përzgjedhja e anëtarëve të autoritetit.

Top Channel