Kuçi: Gjykata Speciale, rekomandimet erdhën nga BE

27/04/2015 00:00

Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka hequr përgjegjësinë nga institucionet e Kosovës përsa i përket Gjykatës Speciale.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për integrime europiane, Kuçi tha se të gjitha dokumentet për krijimin e kësaj gjykate janë hartuar nga Bashkimi Europian dhe si të tilla u janë dorëzuar institucioneve të Kosovës.

“Unë po e them që dokumentet për Gjykatën Speciale që kanë vajtur tek Presidentja, tek Kryeministri dhe tek unë kanë ardhur të hartuara nga BE-ja. Asnjë prej nesh nuk ka pasur fuqi të bëjmë ndonjë vërejtje”, tha Kuçi.

Megjithatë, sipas ministrit, themelimi i Gjykatës Speciale nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda e kundërshtoi ngritjen e gjykatës dhe marrëveshjen e drejtësisë me palën serbe, me pretendimin se të dyja ato shkelin rëndë Kushtetutën.

“Marrëveshja për drejtësinë e shkel Kushtetutën, të cilën ju keni përgjegjësinë që ta respektoni, sikurse e kam edhe unë. Nuk mund të thoni se ky është dialog dhe se në këtë proces duhet të bëhet kompromis. Nuk bëhet kështu, po ndryshojmë tërësisht Kushtetutën”, tha Deda.

Kuçi iu përgjigj pretendimeve të deputetëve, duke thënë se marrëveshja për drejtësinë nuk është jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ai ftoi deputetët që ta dërgojnë qëndrimin e tyre në organet kompetente dhe nëse vërtetohet se shkelet akti me i lartë juridik, atëherë mund ta kthejnë atë marrëveshje.

Top Channel