Reforma në arsim, Meta takim me të rinjtë: Liria e arsimit, e garantuar

27/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne një takim me studentët, me të cilët ka biseduar mbi reformën për arsimin e lartë.

Në fjalën e tij, Meta ka nënvizuar se reforma është e domosdoshme në mënyrë që të eleminohet trendi i diplomave fiktive.

“Liria e arsimit të lartë duhet të jetë e garantuar. Nuk duhet të lejojmë që të merren diploma pa shkuar asnjë ditë në shkollë. Shumë diploma fiktive kanë cënuar arsimin e lartë”, ka thënë Meta.

Kreu i LSI-së ka nënvizuar se e ka ndjekur me vëmendje debatin për reformimin e arsimit dhe u ka dhënë të rinjve garancinë e tij se reforma e re nuk parashikon ngritjen e barrierave ndaj tyre.

“Ne duam të ndërtojmë një sistem arsimor që të jetë konkurrues. Nuk kemi si qëllim të rrisim barrierat financiare për të rinjtë që studiojnë”, ka thënë Meta.

Ndërsa nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, pasi ka vlerësuar rëndësinë e këtij debati, ka nënvizuar se reforma në arsim synon edhe përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve, që ndër vite ka ardhur sipas tij duke u përkeqësuar.

Më tej, Meta ka komentuar edhe eksodin e verifikuar së fundmi në vend, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos largohen, pasi nuk ka shanse që të përfitojnë azil, si dhe duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se në dy vjet qeveria ka përkeqësuar ekonominë.

“Situata ekonomike nuk ka qenë më e mirë para dy vitesh. Jam i bindur se situata e largimit të qytetarëve është e përkohshme dhe se reformat që po bëjmë po e çojnë vendin në rrugën e duhur”, ka thënë Meta.

Top Channel