Durrës, Veliaj takon të rinjtë; përurohet shkolla teknologjike

27/04/2015 00:00

Në javën e tij të fundit si ministër, Erion Veliaj vazhdon të nxisë të rinjtë dhe prindërit e tyre të zgjedhin edukimin profesional, si e vetmja mundësi për të pasur sukses në tregun e vështirë të punës.

Gjatë ceremonisë së përurimit të shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela” në Durrës, ministri Veliaj tha se vitin e fundit janë regjistruar 40% më shumë nxënës në shkollat profesionale në vend.

“Dhe besoj se ky vit do të hyjë në histori jo vetëm si viti kur ne ndërtuam shkollat dhe laboratorët më modernë, por si viti kur mentaliteti shqiptar iu kthye punës dhe zanatit. Ndaj ju falenderoj me gjithë zemër për mbështetjen që më keni dhënë si ministër dhe si kolegu juaj dhe duke ju kërkuar që kushdo që do të më zëvendësojë të gjejë tek ju bashkëpunëtorë, në mënyrë që ato që arritëm t’i çojmë më tej”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që garon për mandatin e tij të tretë në zgjedhjet e 21 qershorit, ndërsa e vuri theksin te rëndësia e arsimit profesional falenderoi Veliajn për kontributin si ministër dhe i uroi suksese në garën për bashkinë e Tiranës.

“Unë jam i lumtur dhe përshëndes Erjonin, e falenderoj për punën e madhe që ka bërë, për energjinë e tij që na shpreh një bindje për fitoren e tij në Tiranë. Energji që rrezatohet tek të gjithë ju. Falenderoj edhe stafin e shkollës, ata që punojnë çdo ditë me nxënësit”, tha Dako.

Aktualisht bordet e shkollave profesionale drejtohen nga biznesmenë të njohur në zonë, duke bërë të mundur dhe lidhjen më të shpejtë të nxënësve me kompanitë e biznesit ku ata praktikojnë dijet e marra dhe do të punësohen.

Shkolla e mesme “Hysen Çela” në Durrës aftëson specialistë për sektorin e hoteleri-turizmit, kulinarisë dhe peshkimit.

Top Channel