Williams, me një bilanc negativ. Asnjë problem për të ardhmen

27/04/2015 00:00

Skuderia Williams, me seli në Grove të Britanisë së Madhe, ka regjistruar vitin e kaluar një humbje prej 34,3 milionë stërlinash në bilancin financiar, edhe pse shoqëria është e bindur se këto rezultate do të përmirësohen gjatë vitit 2015.

Sipas tyre, në vitin 2013 nisi një proces tepër i rëndësishëm ristrukturimi, me synimin për të përmirësuar performancat e skuderisë në Formula 1, por edhe për të krijuar një makineri fitimprurëse biznesi. Të ardhurat janë zvogëluar nga 130,4 milionë stërlina, në 90,2 milionë gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, rezultatet financiare nuk kanë marrë parasysh hapat përpara në pistë, që bënë të mundur sigurimin e vendit të tretë për konstruktorë dhe për pasojë një rritje të të ardhurave që rrjedhin prej të drejtave komerciale.

“Vendimi për të investuar te skuadra ka qenë më shumë sesa i vlefshëm. Kjo falë vendit të tretë për konstruktorë në kampionatin e vitit 2014, krahasuar me vendin e 9 të një viti më parë”, ka thënë Mike O’Driscoll, drejtor ekzekutiv.

“Gjatë vitit të kaluar kemi bërë një progres të shkëlqyer duke investuar në një mënyrë domethënëse në personel, struktura dhe në teknologji, dhe besojmë se të gjitha këto do të formojnë një bazë të qëndrueshme për të ardhmen”, shtoi ai.

Top Channel