Mick Jr. ngre edhe kupën e parë si fitues gare, në Oschersleben

27/04/2015 00:00

Mick Schumacher shënon edhe fitoren e parë në sezonin debutues në Formula 4. 16-vjeçari, pasardhës i 7 herë kampionit të Botës, Michael Schumacher, u është imponuar garuesve të tjerë në garën e tretë të zhvilluar në pistën e Oschersleben.

Piloti i ri dhe i talentuar, i cili garon për njëvendëshen e ekipit të “Van Amersfoort”, e ka mbyllur në mënyrën më të mirë fundjavën e parë të garave. Pasi rikuperoi 10 pozicione, nga i 19-i deri në të 9-in në provën e parë të së shtunës, ditën e diel Schumi Jr. ka zhvilluar një tjetër garë të ngjashme, me rikuperimin nga vendi i 20 deri në të 12-in. Por, në garën e tretë ka shfrytëzuar nisjen nga “pole-position”-i, për të mos e lëshuar deri në fund atë.

“Është e pabesueshme që arrita të fitoja këtë garë. Jam tepër i lumtur dhe është një ndienjë e papërshkrueshme”, tha piloti i talentuar gjerman. Hapat e parë të Mick Schumacher në Formula 4 janë ndjekur, veç gjyshit të tij Rolf, edhe nga rreth 20 mijë spektatorë përgjatë pistës gjermane, si dhe nga mbi 180 gazetarë të akredituar.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel