Svensson: Fluksi i azilkërkuesve, shqetësues. Nuk u jepet azil

27/04/2015 00:00

Ambasadori i Suedisë, Patrik Svensson ka folur këtë të hënë për eksodin e qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të Perëndimit, për të kërkuar azil.

“Autoritetet suedeze janë të shqetësuara për këtë fluks azilkërkuesish”, ka thënë Svensson nga Kukësi, një ndër qarqet më të prekura nga fenomeni i mërgimit.

Diplomati suedez, në fjalën e tij ka nënvizuar se, kërkesat për azil pranohen vetëm për personat që ndiqen apo persekutohen.

“Pranohen kërkesat e personave që përndiqen për shkak të luftës. Shqipëria nuk është vend në luftë, ndaj qytetarët duhet ta mendojnë mirë para se të marrin këtë risk”, ka shtuar Svensson.

Nga ana tjetër, i dërguari i Stokolmit zyrtar i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të informojë si duhet qytetarët për regjimin e vizave.

“Është shumë e rëndësishme që regjimi i vizave të zbatohet në mënyrë korrekte dhe që të mos abuzohet me të”, ka vijuar ambasadori Svensson.

Top Channel