Lojëra popullore në ajër të pastër

27/04/2015 00:00

Shumë pak ndodh, që fëmijët dhe të rinjtë e sotëm të kalojnë kohën me lojëra në natyrë dhe argëtime fizike.

Megjithatë, ky festival ka mbledhur sot brezin e ri nga të gjitha trojet shqiptare, brenda e jashtë vendit, në një aktivitet ku thelbi është folklori.

Lojëra popullore, valle me motive folklorike, interpretuar aq bukur si nga të vegjlit, ashtu edhe më të rriturit, këngë me motive folklorike dhe sfilata me kostume tradicionale, kanë qenë motivi, i cili ka mbledhur në Shkodër kaq shumë njerëz.

“Kush e ka krahun më të fortë të qëllojë. Ndonjëherë të shket shuplaka dhe e ha në fytyrë, por e kthejmë në shaka”, thotë Eliseo Musta.

Nik dhe Bert Berisha janë vëllezër. Ata janë pjesë e një grupi folklorik ardhur nga Mali i Zi, enkas për festivalin. Janë të dy shumë të përkushtuar pas lojërave popullore.

“E kanë emrin lojërat kalorsiake, që i kemi trashëguar nga të moçmit. Kemi kapërcimin e shkopit, ngritjen me këmbë apo me gisht”, u shpreh Nik Berisha.

“Gëzimi në këto lojëra është shumë i madh. Këto lojëra i ushtrojmë në fakt gjithmonë në rastet e folklorit”, tha Bert Berisha.

Në këtë edicion të 8 të “LOJNAve POPULLORE”, i cili u zhvillua pranë Amfiteatrit Natyror në fermën ekosociale Ana e Malit, Oblikë; interpretuan trupa nga Shkodra, Vlora, Mali i Zi, Kosova. Eliseo Musta ishte pjesë e Ansamblit të Valleve Adrio-Jon nga Vlora.

“Kam hyrë në valle para 7 muajve dhe më pëlqen shumë që të mësoj e të ruajmë traditat e valleve shqiptare”, tha Eliseo. “Më pëlqen shumë mënyra sesi të tjerët luajnë, kërcejnë dhe them të bëhem edhe unë pjesë e atyre, që i praktikojnë”.

Dhe për më tepër, këta të rinj janë nyja, që krijon vazhdimësinë e traditës folklorike të trevave shqiptare.

“Të mos i humbasim vlerat dhe traditat që kemi pasur”, tha Bert Berisha.

Top Channel