Përmirësohet klima e biznesit, por për 45% është e pafavorshme

27/04/2015 00:00

Bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë vlerësojnë se klima e biznesit në Shqipëri këtë vit është përmirësuar krahasuar me një vit më parë.

Por sërish, 45% e anëtarëve të saj e shohin atë si të pafavorshme apo shumë të pafavorshme. Shqetësimet kryesore të raportuara nga të anketuarit janë ekonomia informale, burokracia qeveritare, konkurrenca e pandershme dhe monopolet.

“A është më mirë të bësh biznes në Shqipëri krahasuar me vjet dhe parvjet? Përgjigjia është një ‘po’ e qartë. Dhe këtu është një lajm i madh, këtë vit është dokumentuar një rritje prej 2.5 pikë të indeksit të biznesit në Shqipëri, me përmirësime në më shumë se gjysmën e kategorive”, deklaroi ambasadori amerikan Donald Lu.

“Nuk është e drejtë që një biznes nuk paguan, apo paguan më pak se ç’duhet dhe të tjerë paguajnë më shumë. Sistemi duhet të jetë i drejtë dhe kjo është sfida e radhës”, tha ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Një tjetër shqetësim për bizneset është niveli i përgjithshëm i taksave, tregues në të cilin 55.8% e të anketuarve shprehen se është i pafavorshëm apo shumë i pafavorshëm.

“Kur ne ia rrisim çmimin një malli, duhet që në të njëjtën kohë të përmirësojmë cilësinë e atij malli, ose klientët tanë nuk e blejnë më atë dhe shkojnë tek një mall konkurrent. Është e njëjta gjë që duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Qeveria është një prodhues i madh shërbimesh që shet një produkt, të cilin e blejnë biznesmenët e huaj. Nëse rritet çmimi i këtyre shërbimeve, atëherë duhet që shërbimi, apo ajo që qeveria jep përmes tyre, të ndjekë edhe këtë trend”, deklaroi Bernard Shehu.

Shqetësuese veçanërisht për bizneset e huaja është siguria dhe rendi në vend, ndërsa reformat e qeverisë këtë vit janë perceptuar si më pozitive.

Top Channel