Të pagjeturit, Zbogar: Prishtina e Beogradi të angazhohen më shumë

27/04/2015 00:00

Me rastin e Ditës së personave të pagjetur në Kosovë, shefi i zyrës së BE-së dhe përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Zbogar u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd për ta rritur angazhimin politik të qeverive të tyre dhe mbështetjen për informacionet e reja, lidhur me fatin dhe vendndodhjen e personave të pagjetur apo vendndodhjeve të reja të varrezave.

“Zbulimi i së vërtetës, në mënyrë që t’u mundësohet familjeve të viktimave të mbajnë zi për të dashurit e tyre, mbetet një detyrë urgjente dhe, së bashku me gjetjen e përgjegjësve për krimet e ndjekjes së tyre në mënyrë që të vihen para drejtësisë, është parakusht për pajtimin midis komuniteteve”, tha Zbogar.

BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje politike dhe financiare për këtë proces. Më konkretisht, zyra e BE-së në Kosovë po e shqyrton mundësinë e zotimit deri në fund të kësaj vere, të një shume prej rreth 350 mijë eurosh për të mundësuar testet e ADN-së, për rastet e gjetura gjatë vitit 2014 dhe të eshtrave të reja që priten të gjenden”, thuhet në deklaratën e Samuel Zbogar.

Top Channel