Zbulohen mbetje mortore në fshatin Llaushë të Skënderajt

27/04/2015 00:00

EULEX njoftoi të hënën se, në fshatin Llaushë të Skënderajt janë gjetur mbetje mortore. EULEX-i e kishte marrë këtë informatë nga një banor i këtij fshati, në Dhjetor të vitit 2014, teksa po gjurmonin në një varr të dyshuar në këtë zonë.

“Në Dhjetor të vitit 2014, gjatë një vizite gjurmimi në një varr të dyshuar në zonën e fshatit Llaushë të Skënderajt, e cila nuk kishte të bënte me këtë rast, një banor i fshatit ka kontaktuar Departamentin e Mjekësisë Ligjore, duke i bërë me dije për një vendnodhje të një varri të mundshëm në varrezat e fshatit”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

Sipas EULEX-it, ky banor ka treguar për një hapësirë prej rreth 7-8 metrash katrorë, duke thënë se aty ishin varrosur 4 kufoma gjatë muajit Mars të vitit 1999.

“Zhvarrimi ka filluar sot, ndërsa mbetjet mortore u zbuluan në përputhje me informatën e pranuar nga EULEX-i”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Top Channel