Lufta në Gaza, Ban Ki-moon: Izraeli, përgjegjës për sulmet ndaj shkollave të OKB-së

27/04/2015 00:00

Izraeli ka bombarduar 7 shkolla të drejtuara nga Kombet e Bashkuara, gjatë luftës në Gaza të një viti më parë, duke lënë të vdekur 44 palestinezë, të cilët kishin kërkuar strehim në ato institucione, ndërkohë që militantë palestinezë të Hamasit kishin fshehur armatime dhe lëshonin raketa nga disa prej këtyre shkollave të boshatisura të OKB-së.

Ky është rezultati i një hetimi të ndërmarrë nga Kombet e Bashkuara. “Ndiej keqardhje për faktin se të paktën 44 palestinezë janë vrarë si pasojë e veprimeve ushtarake të Izraelit dhe të paktën 227 të tjerë janë plagosur në vendndodhjet e shfrytëzuara nga Kombet e Bashkuara dhe që përdoreshin si mburoja të përkohshme”, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, përmes një letre të shkruar gjatë kësaj të hëne, e cila shoqëronte edhe një përmbledhje të gjetjeve të hetimit.

“Jam i tmerruar nga ana tjetër, që grupet militante palestineze rrezikojnë shkollat e hapura nga Kombet e Bashkuara, duke i përdorur ato për fshehje armatimesh”, shkruante Ban Ki-moon, i cili shtonte më tej se në dy raste, militantët me shumë mundësi kanë lëshuar raketa nga këto shkolla.

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara do të diskutojë mbi këtë raport gjatë së martës, siç kanë bërë të ditur diplomatët.

Më shumë se 2100 palestinezë, shumica e të cilëve civilë, u vranë gjatë konfliktit dymujor në Gaza në muajt Korrik-Gusht të 2014-s. Nga ana tjetër, 67 ushtarë izraelitë dhe 6 civilë në Izrael mbetën viktima të raketave të lëshuara nga militantët e Hamasit, por edhe grupeve të tjera.

Izraeli dhe Hamasi, grupi islamik që dominon Rripin e Gazës, janë treguar të gatshëm për të bashkëpunuar me hetimin e nisur nga Ban Ki-moon në Tetor të vitit të kaluar, e që kryesohet nga Gjenerali i dalë në pension, holandezi Patrick Cammaert.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Emmanuel Nahshon tha përmes një deklarate se të gjitha incidentet në raport që i atribuohen Izraelit, u janë “nënshtruar ekzaminimeve të plota dhe janë nisur hetime penale në aty ku është parë e nevojshme”.

“Izraeli po bën gjithçka që të shmangë dëmtimin e vendeve të shenjta, përballë dhunës së grupeve terroriste, të cilat jo vetëm që angazhohen për të shënjestruar civilët izraelitë, por përdorin nga ana tjetër edhe civilë palestinezë dhe mjedise të OKB-së si mburoja”, tha Nahshon.

Ndërkaq, zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha për “Reuters” se grupi ka studiuar me imtësi raportin dhe nuk ka asnjë informacion në lidhje me armatimet e fshehura në shkollat e Kombeve të Bashkuara në Gaza.

Top Channel