Të mbash dietë e të gjesh vdekjen

28/04/2015 00:00

A ndiheni të fryrë dhe doni linja perfekte? Atëherë lavdi Zotit, thonë reklamuesit e internetit.

Rasti i Eloise Aimee Parry, e cila humbi jetën pasi konsumoi pilulat dietike të blera online, ka bërë bujë të madhe në mediat ndërkombëtare. Por Eloise nuk është rasti i vetëm i këtyre episodeve tragjike që sa vijnë dhe shtohen.

Të blesh pilula për dobësim në internet është kthyer në një trend. Kudo në faqe të ndryshme qarkullojnë reklama për medikamente, që sipas tyre, ndihmojnë uljen në peshë, madje çmimi i shitjes që nuk shkon më shumë se sa 50 dollarë dhe efekti që premtojnë në këmbim, i tundon më shumë përdoruesit e rrjetit.

Sipas një raporti të fundit mjekësor, të publikuar në “The Guardian”, rekomandohet shmangia në maksimum e këtyre produkteve të rrezikshme, ose në të kundërt blerja e tyre duhet të bëhet në konsultim të plotë me mjekun personal dhe recetën e tij.

Një studim nga Institucioni Europian për Ilaçet raporton se 62% e përbërjes së këtyre medikamenteve është me lëndë toksike dhe me pesticide.

Një tjetër vëzhgim i revistës “GP” tregon se 1 në 4 persona që ka konsumuar pilula të blera online ka pasur reaksion në organizëm, e ndërsa të tjerë fatkeqësisht kanë humbur edhe jetën.

Pas vdekjes së të bijës, nëna e shkatërruar e Eloise, ndau përvojën e saj me publikun e gjerë dhe u bëri thirrje njerëzve të mos blejnë medikamente në internet. Por jo vetëm këto që lidhen me humbjen në peshë, edhe ilaçet  që reklamohen për rënien e flokëve dhe problemeve të tjera me shëndetin, tërhiqen shumë nga konsumatorët.

Britania e Madhe ka marrë e para hapin duke e ndaluar shitjen online të ilaçeve, dhe ka lënë në funksion vetëm ato që bashkangjitur produktit ofrojnë konsulta me mjekët.

 

Top Channel