Shpallen tri zonat e lira ekonomike. Ahmetaj: Ja përparësitë

28/04/2015 00:00

Spitalla, Kopliku dhe Vlora janë tri zonat e lira ekonomike në të cilat qeveria ofron lehtësi fiskale për biznesin me qëllim tërheqjen e sa më shumë investimeve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj prezantoi zonën e Spitallës me sipërfaqe 200 hektarë, si dhe bëri të njohur për bizneset disa nga lehtësitë e parashikuara për ata që duan të investojnë në këto zona.

“Hyrja dhe dalja e mallrave në apo nga zonat, formalitetet dhe procedurat bëhen sipas dispozitave të Kodit Doganor, zhvilluesit dhe investuesit përjashtohen nga pagesa e 50 përqindëshit të normës së tatim-fitimit për pesë vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë. Ka një zbritje prej 50 përqind nga norma e tatim-fitimit. Furnizimi i mallrave shqiptare të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohet si furnizim për eksport me shkallë zero të TVSH, në përputhje me përcaktimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe legjislacionin doganor”- sqaroi ministri Ahmetaj.

Ahmetaj thotë se për të shmangur burokracitë dhe lehtësuar punën për bizneset, brenda zonës do të ketë një institucion të dedikuar që do të realizojë procedurat për zhvilluesin.

“Brenda zonës ekonomike do të ketë një njësi fiskale, doganore dhe tatimore në mënyrë që të mos ketë ecejake nëpër dogana, por një njësi të posaçme vetëm për zonën ekonomike, duke ofruar atë që ne kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe, një sportel”- deklaroi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj thotë se për të investuar në këto zona ka patur kërkesë për informacion dhe interes nga rreth 40 vende, ndërsa synohet që brenda datës 10 Qershor të hapet tenderi për zhvilluesin e zonës ekonomike.

Top Channel